Vijojnë përplasjet opozitë-Ekzekutiv në Kuvendin e Prizrenit, Totaj refuzon pyetjet e LVV-së
Mbledhja e radhës e Kuvendit të Komunës së Prizrenit është karakterizuar me mos pajtime ndërmjet kuvendarëve opozitarë dhe zyrtarëve të lartë të Ekzekutivit. Përplasjet mes tyre janë intensifikuar gjatë pjesës se pyetjeve të kuvendarëve.
Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj ka dhënë përgjigje në disa pyetje, por jo edhe në ato që janë paraqitur nga kuvendarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Për ata që nuk e votojnë buxhetin nuk ka përgjigje”, ka thënë Totaj.
Lidhur me këtë ka reaguar kuvendarja nga radhët e LVV-së, Dafina Alishani.
“Kuvendarët kanë të drejtë pwr pyetje. Po më vjen keq në çfarë gjendje e keni sjellë këtë Kuvend”, ka thënë ajo duke shprehur mos pajtimin me qasjen e kryetarit Totaj.
Por ky i fundit ka kërkuar respektim të vlerave demokratike.
“Demokracia ka shumë vlera. Njëra prej vlerave të demokracisë është që secili person ka të drejtë me fol dhe me thënë atë që e mendon. Mënyra se si secili prej nesh e shfrytëzon atë të drejtë, si sillet, cka flet, tregon se sa vlen ose sa nuk vlen. Kaq.”, ka thënë Totaj.
Por Alishani ka shprehur qëndrimin se vlerësimin e kuvendarëve e kanë dhënë qytetarët.
“Juve ju mbetet që të na respektoni sepse jemi në këto ulëse”, ka thënë ajo.
Mirëpo Totaj është përgjigjur se respekti duhet të meritohet.
Reagime të ngjashme ka pasur edhe lidhur me mos ofrimin e përgjigjes nga njëri prej drejtorëve të Ekzekutivit.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LVV-së, Karanfil Haxhillari ka theksuar se qasja e Ekzekutivit komunal cenon vlerat e demokracisë, ngase kuvendarët adresojnë brengat e qytetarëve.
“Ju paguheni për të dhënë llogari”, ka thënë Haxhillari, teksa ka shtuar se nëse nuk ka përgjigje atëherë edhe qëndrimi i tyre në seancë nuk ka kuptim, dhe bashkë me disa opozitarë ka lëshuar sallën e mbledhjeve.
Kryesuesja e Kuvendit, Antigona Berisha – Bytyqi ka kërkuar nga drejtori i Shërbimeve Publike, Çelë Lamaj që nëse ka informata për çështjet e adresuara të ofrojë përgjigje.
“Mua më duhet të marrë informata në drejtori, dhe përgjigjet do t’i japim me shkrim”, ka thënë Lamaj.
Përplasjet ndërmjet opozitarëve dhe Ekzkekutivit në pjesën e parë të seancave të Kuvendit të Prizrenit kanë qenë të shpeshta gjatë këtij mandati. /Telegrafi/