Vje*dhja e furgonit në Prizren zbulohet pas një jave – policia identifikon dhe ndalon të dyshuarin, automjeti gjendet në lagjen Dardania
Një rast i rëndë vjedhjeje është raportuar në Prizren, ku një furgon i kompanisë “Fidani Turs” ishte zhdukur nga vendparkimi dhe u gjet pas një jave hetimesh intensive.
Ngjarja ka ndodhur më 19 shtator 2025, kur ankuesi L.K., rreth 51-vjeçar kishte parkuar automjetin e tij të tipit VW Furgon, ngjyrë e bardhë, në oborrin e kompanisë në Vlashnjë, afër “Fanaj Petroj”. Më 26 shtator, rreth orës 09:30, ai kishte vërejtur se automjeti nuk ishte më në vendin ku e kishte lënë.
Pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit, njësiti i forenzikës dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Vjedhje e automjetit”.
Sektori i Hetimeve ka zhvilluar veprime të intensifikuara dhe ka arritur të sigurojë prova që çuan në identifikimin e të dyshuarit. Sipas burimeve, i përfshirë në këtë rast rezulton të jetë Sinan Gavazaj, rreth 41-vjeçar, i njohur edhe për vjedhje të motoçikletave. Ai është ndaluar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit për 48 orë më 29 shtator 2025.
Automjeti i vjedhur u gjet në lagjen Dardania, rruga “Driton Ferati” në Prizren, ndërsa rasti është nën hetime të mëtejshme.