Vjedhje e rëndë – Hajnat “avullojnë” 20 mijë euro para, 50 mijë euro stoli ari dhe një armë
Një rast i rëndë vjedhjeje është raportuar më 7 qershor në rrugën “Andrea Bogdani” në Prishtinë, ku është thyer një shtëpi në pronësi të një gruaje e cila ndodhej jashtë vendit. Dyshohet se nga brenda janë marrë vlera të mëdha monetare, stoli ari dhe një armë zjarri që ajo e posedonte me leje.
Gazeta Sinjali mëson se pronarja ka mësuar nga familjarët për thyerjen e shtëpisë, pasi gjendej jashtë vendit.
Me të marrë këtë informacion, ajo ka udhëzuar vëllain e saj për të telefonuar në polici dhe raportuar rastin.
Policia mënjëherë i është përgjigjur thirrjes, ku me të dalë në vendin e ngjarjes ka kontaktuar me vëllain e pronares së shtëpisë, i cili deklaroi se dyshohet për vjedhjen e rreth 20 mijë eurove para të gatshme, rreth 50 mijë euro stoli ari, si dhe një armë zjarri – pistoletë, të cilën motra e tij e kishte me leje të veçantë.

Rreth orës 15:30, para policisë është paraqitur edhe vetë pronarja – F.B., e cila konfirmoi mungesën e gjësendeve të lartcekura dhe deklaroi se do të dorëzojë një listë të detajuar me sendet që i mungojnë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe është bërë ekzaminimi i plotë i shtëpisë.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë” dhe është duke u hetuar. Policia po punon intenzivisht për të identifikuar ndonjë të dyshuar.