13-05-2025

Vjedhjet e targave rikthehen në Prishtinë – Banorët të shqetësuar

Vjedhja e targave të veturave është shndërruar në një dukuri serioze dhe shqetësuese në të gjitha qytetet e Kosovës Pas një periudhe qetësie, dukuria e vjedhjes së targave të automjeteve po rikthehet sërish në lagjet e kryeqytetit. Banorët raportojnë raste të njëpasnjëshme, ndërsa ndihen të pambrojtur dhe të injoruar nga institucionet përkatëse.

Burime të Sinjalit nga banorët e lagjes “Bregu i Diellit”, konkretisht nga kompleksi AMI Residence, kanë bërë të ditur se pasditen e së hënës, një qytetar është përballur me vjedhjen e të dy targave të automjetit të tij.

Sipas informatave, G.Z kishte parkuar veturën e tij Citroën me targa 07-416-EB në garazhdën e kompleksit banesor në rrugën “Shefqet Pllana”, rreth orës 12:00, ndërsa kur u kthye pas disa orësh, ka vërejtur se të dy targat i ishin zhdukur.

Kujtojmë se Sinjali ka raportuar edhe më herët për raste të ngjashme të vjedhjes së targave në kryeqytet, përfshirë lagjet Kalabria, Mati 1 dhe Dardania, ku qytetarët shpesh janë detyruar të paguajnë për lëshimin e targave të reja dhe përballen me pasoja të panevojshme burokratike.

Banorët e “AMI Residence” dhe zonave përreth kërkojnë shtim të patrullimeve dhe ndërhyrje të shpejtë, pasi kjo dukuri po rikthehet në mënyrë të organizuar, thonë burimet e Sinjalit.

Asnjë koment

Comments are closed.