Vlora Hyseni në krye të SHISH-it në Shqipëri, dy vite më parë Osmani e Kurti e shkarkuan nga AKI në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama ka prezantuar kosovaren Vlora Hyseni si drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Paraprakisht, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj kishte dekretuar Hysenin në krye të këtij institucioni.
Ndërsa më 30 qershor të vitit 2021, Hyseni ishte shkarkuar nga posti i zv. drejtoreshës së Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Vlora Hyseni.
Nga Zyra e Kryeministrit ishte njoftuar se presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë marrë vendim për shkarkimin e Hysenit.
“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 (paragrafi 4) të Ligjit Nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (GZ, Nr. 30, 15 qershor 2008). Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar. Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara. Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Hyseni ishte emëruar zv.drejtoreshë e AKI-së në shkurt të vitit 2019. U emërua me mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj./IO