VOA: Kosova votoi – çfarë pritet të ndodhë pas zgjedhjeve të së dielës
Kryeministri Albin Kurti tha të dielën në mbrëmje se “ne jemi fituesit që do të formojmë kabinetin e ardhshëm”, por pa dhënë ndonjë hollësi se me kë mund të provojë ta bëjë këtë.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 40.6 për qind e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e së dielës, afërisht 7 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2021.
Njëzet nga 120 vendet në parlamentin e Kosovës u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë të rezervuara për partitë e komunitetit serb.
Lista Serbe, partia kryesore e pakicës etnike serbe, mori 3.98 për qind të votave dhe sipas udhëheqësit të saj Zlatan Elek, “është fituese absolute e këtyre zgjedhjeve”.
Ndërsa vazhdon numërimi i votave të mbetura përfshirë ato nga diaspora, vëzhguesit thonë se rezultati i zgjedhjeve ka lënë të hapura shumë mundësi për zbatimin e tyre. Nëse lëvizja Vetëvendosje nuk siguron koalicion me ndonjë nga partitë opozitare do ta ketë të vështirë të formojë qeverinë me deputetët e pakicave. Të delen në mbrëmje zoti Kurti përjashtoi mundësinë që ta formojë qeverinë me partitë opozitare ndaj të cilave përdori edhe një fjalor më të ashpër dhe një shprehje ofenduese. Mundësia tjetër është që opozita të provojë të formojë qeverinë e re, pasi të jenë shteruar përpjekjet e lëvizjes Vetëvendosje.
Të hënën kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, tha se “pas numërimit përfundimtar (të votave), LDK do të ofrojë qëndrimet e veta politike”.
Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, tha se kjo parti do të pres përfundimin e numërimit zyrtar të votave “para se të dalim me qëndrime të tjera politike”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se do të bashkëpunonte pa kushte “me subjektet politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën”
“Pra nuk është vetëm se çfarë bën Aleanca por çfarë bën Kosova dhe unë mendoj se është në nderin tim të ndihmoj një qeveri të opozitës, assesi me Vetëvendosjen pra me zotin Kurti”, tha zoti Haradinaj.
Cilado që të jetë qeveria e re ajo duhet të përballet me sfida për të përmirësuar gjendjen ekonomike, arsimin dhe shërbimet shëndetësore dhe për të luftuar varfërinë. Në planin e jashtëm qeveria e re do të përballet me përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Qeveria e re do të përballet edhe me procesin e ngecur të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë kërkuar të dyja palëve të zbatojnë marrëveshjen e arritur dy vjet më parë, sipas së cilës Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi të njohë ‘de facto’ pavarësinë e Kosovës.