Vodhi kanale televizive dhe kërcënoi gazetarët – dënohet me burgim
Gjykata Themelorë në Prishtinë e ka dënuar me katër muaj burgim kërcënuesin e Herolind Ademit, gazetar në emisionin KIKS në Klan Kosova.
I dënuari Bujar Behrami më datë 08.11.2023 përmes telefonit – rrjetit social Viber – me fjalë ka kanosur gazetarin duke i thënë se do t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore apo do ta privojë nga jeta.
“Me datën 08.11.2023 rreth orës 13:00h, në Prishtinë, përmes telefonit – rrjetit social viber – me dashje dhe me qellim të frikësimit dhe kërcënimit, me fjalë seriozisht kanos personin tjetër se do t’i shkaktojë lëndime të rënda trupore apo do ta privojë nga jeta për shkak të veprimtarisë së tij dhe atë të dëmtuarin Herolind Ademi gazetar hulumtues në Klan Kosova, në atë mënyrë që për shkak se i dëmtuari gjatë kryerjes së detyrave të tij si gazetar hulumtues derisa ishte duke hulumtuar veprimtarinë ilegale të shërbimeve IPTV ka kontaktuar me të pandehurin të cilit i është prezantuar si gazetar dhe ky i fundit përmes mesazheve nga numri i tij 049-XXXXXX i drejtohet të dëmtuarit me fjalët ‘ 0 haver veq mbyllun se sakte ta kam adresen por tregoj veq mbyllun edhe mos dil, kjo eshte hera e fundit vey po t’ kallxoj terhequ prej meje e mos u perzij se nuk han ma buk, kjo eshte e fundit se te kam lokalizu e di sakle lokacionin tuaj, fol me kon dush po t’kallxoj mos mu perziej ne pune te mija qe don me jetu edhe naj dite qekaq di met than’. Pastaj i njëjti telefonon edhe tek punëdhënësi i të dëmtuarit Klan Kosova ku bisedon me dëshmitaren Erblina Berisha të cilës i thotë se ‘deshta me paralajmerua Herolindin qe kur te shihemi ka me pa ai qekaq deshta faleminderit’ me çka tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e frikës dhe ankthit për sigurinë e tij”, ka thënë Gjykata në aktvendim.
Me këtë rast, Gjykata thotë se ka kryer veprën penale “Kanosja”.
Gazetari Herolind Ademi ka hulumtuar veprimtarinë ilegale të shërbimeve IPTV.