Vodhi qumësht pluhur në një market në Malishevë, nxirret urdhëresë që i akuzuari të sillet me detyrim në seancë
Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ka lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj të akuzuarit për vjedhjen e gjashtë pakove qumësht pluhur, F.A.
Një vendim i tillë u mor pasi i njëjti mungoi në seancën fillestare që ishte caktuar të mbahej të martën, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Lulzim Paçarizi ka njoftuar se i akuzuari është ftuar me urdhëresë pasi që në adresën e dhënë në urdhëresë nuk është gjendur nga policia.
“Nuk prezanton i akuzuari F.A, për të cilin Stacioni i Policisë në Fushë Kosovë përmes e-mailit zyrtar gjykatën e ka informuar se në këtë adresë nuk është gjetur, mirëpo sipas rrugës operative kanë konstatuar se i njëjti banon në rrugën “Metush Krasniqi”, në Vushtrri”, tha gjyqtari Paçarizi.
Prezent në sallë të gjykimit ishin prokurori Anton Hasanaj dhe përfaqësuesi i marketit të dëmtuar në Malishevë, Burim Bytyqi.
Në mungesë të kushteve ligjore, seancën tjetër gjykatësi Paçarizi e ka caktuar të mbahet më 3 mars 2022, për të cilën tha se i akuzuari do të ftohet me detyrim përmes Stacionit Policor në Obiliq.
Sipas aktakuzës së ngritur në mars të 2021-ës nga Prokuroria Themelore e Gjakovës F.A akuzohet se kishte vjedhur gjashtë pako qumësht pluhur në një market në Malishevë.
Në aktin akuzues thuhet se i akuzuari në ditën kritike hynë në supermarket dhe i merr gjashtë pako qumësht pluhur të llojit “Aptamil” dhe të njëjtat i vendos në dy qese plastike, të cilat i nxjerr nga gjepi e më pas del pa i paguar dhe largohet me shpejtësi nga aty.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me këto veprime të dëmtuarës në Malishevë i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 108 euro.
Më këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje” nga neni 313, paragrafi 1, të Kodit Penal të Kosovës, e cila vepër dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë