23-11-2024

Vrasja e Elvis Pistës, lënda kalon në Prishtinë për hetim

Natën e 15 qershorit të vitit 2014, Elvis Pista ishte vrarë duke u qëlluar me 4 plumba pas shpine nga një armë me silenciator. Por, edhe pas katër viteve të vrasjes së tij, organet e hetuesisë kosovare nuk kanë mundur që të nxjerrin qoftë edhe një të dyshuar. Por, familja e të vrarit tashmë janë duke i shqyrtuar mundësitë që lëndën rreth vrasjes së Pistës ta bartin në Prishtinë. Nga prokuroria e Gjakovës thonë se janë të gatshëm që lëndën t’ia japin Prishtinës, nëse një kërkesë e tillë iu vjen zyrtarisht nga hetuesia e kryeqytetit

As edhe një person ende nuk është vënë nën llupën e prokurorisë së shtetit si i dyshuar për vrasjen e Elvis Pistës. Edhe 4 vjet pas vrasjes së tij, organet e hetuesisë kosovare kanë dështuar që të sigurojnë ndonjë provë që do të dërgonte deri zbardhja e vrasjes së Pistës.

E pas katër viteve, familja e ish-kandidatit të PDK’së, për deputet të Kuvendit të Kosovës, është duke i shqyrtuar mundësitë që lëndën ta zhvendosin për t’i vazhduar hetimet në Prishtinë.

Hetuesit në Prishtinë janë duke e përgatitur kërkesën të cilën planifikojnë që së shpejti t’ia dërgojnë prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Ndërkohë edhe zyrtarët e prokurorisë së Gjakovës shprehen të gatshëm që lëndën t’ia dorëzojnë Prishtinës për hetim. Por që të bëhet kjo duhet një kërkesë zyrtare nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Kështu i tha të premten Expressi’t, prokurori i cili për vite me radhë është duke e hetuar misterin e vrasjes së Pistës. Prokurori, Ai Uka, po thotë se ende nuk kanë rënë në asnjë gjurmë e cila do të çonte në zbardhjen e këtij rasti.

“Ne jemi në dijeni që familjarët e Pistës janë duke e shqyrtuar mundësinë që lëndën ta dërgojnë në Prishtinë. Unë si prokuror i rastit me gjithë qef ia jap rastin. Nëse familjarëve iu aprovohet kërkesa unë ua jap”, thotë ai.

Sipas, prokurorit të lëndës, rreth këtij rasti hetimor janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme. Tash prokuroria sipas tij është duke lëshuar urdhëresa për intervistime të reja.

“Ne i kemi kry të gjitha punët e nevojshme edhe jemi tu e hetu rastin. Kërkesa akoma nuk ka ardhë. Jemi duke i ba eksaminimet. Urdhëresa jemi tu lëshu”, thotë ai.

Ndërkohë, familja e të nderit thonë se tashmë janë duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për parashtrimin e kërkesës që lëndën e Pistës nga Gjakova ta rikthejnë në Prishtinë.

Kështu ka deklaruar për Express, motra e të ndjerit, Beatrisa Pista-Demiri.

“Jemi duke biseduar me hetuesit e lëndës. Po planifikojmë që lëndën ta kthejmë në Prishtinën. Ende nuk e kemi bërë kërkesën. Ne e kemi ditur që lënda është e vështirë që të zbardhet. Por jo që të shkojë kaq gjatë hetimi”, deklaroi për Express, të premten motra e të ndjerit, Beatrisa.

Elvis Pista, është vrarë më 15 qershor 2014, derisa po largohej nga një restorant në Rahovec. Mbrëmjen tragjike ai po festonte ditëlindjen e gruas së tij. Pista është qëlluar 4 herë nga prapa nga arma me silenciator. Shkrimet personale të Pistës ishin dërguar në Finlandë, pasi që institucionet e Kosovës e as ato të EULEX-it nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë ekzaminimin e tyre.

Kandidati për deputet nga PDK-ja, Elvis Pista, në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit të vitit 2014 kishte mposhtur kundër kandidatët e tij nga partitë e tjera, duke u bërë njeriu më i votuar në të gjithë komunën e Rahovecit, derisa në nivel partie në Rahovec vetëm Hashim Thaçi kishte marrë më shumë vota se Pista.

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 qershorit, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së ishte motra e Elvisit, Beatrisa Pista Demiri.

Ajo kishte thënë se po hyn në politikë për një arsye të fortë, për të ndriçuar vrasjen e dyshimtë të vëllait të saj.

Asnjë koment

Comments are closed.