Vra*sja e nënës në Restelicë, kërkohet paraburgim për dorasin
Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30-ditësh, ndaj të dyshuarit F.B., i cili gjendet në ndalim 48-orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ai ka kryer veprën penale: “Vrasje e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar. 1.3 të Kodit penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale: “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

