Vrasja e prizrenasit pas përleshjes së qenve, aktakuzë ndaj Erolind Badallit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Erolind Badallit, i cili ndodhet në paraburgim për vrasjen e Hekuran Shalës, më 10 gusht, në Prizren, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ndaj tij, rëndon akuza se natën kritike, rreth orës 20:30, në lagjen “Tusus”, në rrugën “Lapidari” , me dashje dhe në mënyrë dinake duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., të njëjtin e privon nga jeta.
“Ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku pas përfundimit të saj, viktima ishte duke u larguar nga vendi i ngjarjes. I pandehuri e ka ndjekur atë dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës.
Gjithashtu, i pandehuri E.B., ka poseduar pa leje valide armën e ftohtë – thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën i ka shkaktuar vdekjen viktimës H.Sh.” – thuhet në njoftim.
Me këto veprime i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Sa i përket veprës penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve”, rasti është duke u trajtuar nga Departamenti i Përgjithshëm, në kuadër të procedurave hetimore përkatëse, ndaj dy të dyshuarve tjerë, të cilët kanë organizuar luftën me qen.