25-11-2024

Vrasja në Bazhdarhane: I akuzuari mohon ta ketë vrarë Hekuran Morinën, Prokuroria kërkon t’i rritet dënimi

Sot në Gjykatën e Apelit u shqyrtuan ankesat e ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) si dhe të mbrojtësit të të akuzuarit për vrasje, Bernard Përlazëri, kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin i akuzuari ishte shpallur fajtor.

Mirëpo, të pakënaqur me lartësinë e dënimit kanë mbetur prokuroria, e cila përmes ankesës ka kërkuar që ky dënim të ashpërsohet, kurse, në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit i ka propozuar Apelit që dënimi ndaj Përlazerit, të zbutet.

Bernard Përlazeri, i cili akuzohej për vrasjen e Hekuran Morinës, në mars të këtij viti ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, me dënim unik prej 22 vjetësh burgim efektiv.

Trupi gjykues në shkallë të parë, të akuzuarit i kishte shqiptuar dënim prej 20 vjetësh burgim, për akuzën e vrasjes së rëndë dhe tre vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimin unik ia kishte shqiptuar në lartësi prej 22 vjetësh burgim efektiv.

Në ankesën e saj, të ushtruar kundër aktgjykimit të shkallës së parë, të cilin aktgjykim PSRK-ja e atakon vetëm sa i përket vendimit mbi dënimi, thuhet se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit nuk do të arrihet qëllimi i dënimit.

Siç thuhet në ankesë, shkalla e parë nuk ka vlerësuar drejt rrethanat rënduese ndaj të akuzuarit e që sipas prokurorisë, janë sidomos shkalla e lartë e dashjes dhe rrezikimi i personave të tjerë nga ana e të akuzuarit në ditën kritike.

Për këto arsye, prokuroria i ka propozuar Apelit, që ndaj të akuzuarit të shqiptojë një dënim më të ashpër.

Të njëjtën kërkesë për gjykatën e shkallës së dytë e paraqiti edhe Qazim Xharra, avokat i palës së dëmtuar në këtë rast, Luljeta Morinës.

Sipas Xharrës, duke pasur parasysh pasojat e shkaktuara, dënimi ndaj të akuzuarit është i butë, andaj ka kërkuar që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i lartë.

Në anën tjetër, mbrojtësi  i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj, tha se ankesën e ka paraqitur fillimisht vetëm për shkak të vendimit mbi dënim, e ku ka kërkuar që dënimi ndaj të mbrojturit të tij të ulet.

Sipas ankesës së avokatit Dodaj, shkalla e parë është dashur të merr për bazë edhe rrethanat lehtësuese për të akuzuarin.

Dënimi i shqiptuar ndaj Përlazërit, sipas ankesës së mbrojtësit të tij, është hakmarrje ligjore dhe jo proporcionale me veprimet e të akuzuarit.

Mirëpo, kur i erdhi radha që këtë ankesë ta elaboroj në seancën e së enjtes, avokati Dodaj tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, ka vendosur që tashmë, aktgjykimin e shkallës së parë ta atakojë për të gjitha bazat.

Kjo, pasi siç tha Dodaj, i mbrojturi i tij është shprehur i gatshëm të flas dhe të tregojë se kush qëndron prapa vrasjes së Hekuran Morinës.

“I akuzuari ka mendu që do të dënohet më pak, por tash ai do të flas se ka thon nuk e kom njet me nejt n’burg 20 e kusur vjet. Tash ai do të fol nëse do kemi rigjykim”, tha Dodaj në fjalën e tij.

Sipas mbrojtësit, gjendja faktike nuk është vërtetuar siç duhet, pasi që, siç tha Dodaj, viktima është qëlluar në anën e djathtë, kurse i akuzuari ka qenë në pozitë ballore me viktimën.

Vet i akuzuari Përlazëri, tha se kjo vrasje ka mundur të zbulohet shumë lehtë nëse do të ishin shikuar kamerat në vendngjarje.

Për më tepër, Përlazëri tha se rreth 20 plumba janë gjuajtur në drejtim të tij dhe se i njëjti edhe është plagosur, mirëpo siç tha, askush nuk ka jep llogari për këtë.

“Unë nuk jom kryes i veprës, për Fadilin se mohoj….Ju lus të vendosni drejtë se mu më osht bo e padrejtë”, tha i akuzuari në fjalën e tij.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, me 11 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bernard Përlazeri, me arsyetimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me 7 shtator 2015, rreth orës 20:30, pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadil Morina, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij të cilët gjenden në arrati, ka qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, i akuzuari Bernard Perlazeri ishte arratisur për një kohë dhe gjithashtu ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi.

Ndërsa, nipërit e të akuzuarit, Ambroz dhe Leonard Përlazeri, ende gjenden në arrati që nga dita kur kishte ndodhur ngjarja./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.