Vrasja në Fushticë të Drenasit, kërkohet suspendimi i dy policëve, IPK:
Hetuesit e IPK-së kanë nisur veprime fillestare hetimore me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Nga të dhënat e mbledhura deri më tani gjatë hetimeve, dyshohet se zyrtarët policorë kanë treguar neglizhencë gjatë realizimit të detyrës zyrtare dhe ndërmarrjes së veprimeve lidhur me një vrasje që ndodhi dje në orët e pasdites në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit.
“Bazuar në hetimet fillestare dhe në autorizimet ligjore të IPK-së, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor dhe parandalimit të ndonjë ndikimi të mundshëm në prova apo dëshmitarë, është rekomanduar suspendimi i zyrtarëve në fjalë,” thuhet në njoftim.

Hetuesit e IPK-së, në koordinim me prokurorinë kompetente, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast.
