Vrasja në kazino në Suharekë/ Supremja ia anulon dënimin me burgim të përjetshëm ish-rreshterit të Policisë
Gjykata Supreme e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, atë të Gjykatës Themelore në Prizren dhe aktgjykimin e saj të 20 majit, duke e anuluar kështu dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-rreshterit të Policisë së Kosovës, Shefki Spahiut, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e punëtorit të kazinos në Suharekë, Jetmir Aliajt, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali merr vesh se me aktgjykimin e Supremes, Shefki Saphiut i është zbutur dënimi në 25 vjet burgim për vrasjen që e ka kryer më 17 mars të 2019-ës, në një kazino në Suharekë.
Ky aktgjykim i Gjykatës Supreme është marrë “në emër të popullit” më 10 nëntor të vitit që lamë pas.
Aktgjykimi erdhi pas kërkesës së avokatit të Spahiut i cili në maj të vitit të kaluar pati kërkuar që klientit të tij t’i ulet dënimi dhe të kundërshtohet vendimi për burgim të përjetshëm, për shkak të shkeljeve të shumta që sipas tij, janë bërë ndaj klientit që mbron.
Me këto pretendime nuk ishte pajtuar familja e viktimës. Në një prononcim për Gazetën Sinjali gruaja e Aliajt asokohe pati thënë që “është shumë e qartë CD-ja ku shihet se është kryer vrasja” e burrit të saj,
“Unë e kuptoj që avokati e ka punë ketë por nuk arrij të kuptoj se si e mbron me zemër një kriminel që vrau një të ri të pafajshëm në vendin e tij të punës për përfitime personale pastaj nuk kuptoj se shume e kjart është CD-ja kur është kryer vrasja dhe prape mundohen të kërkojnë material për ulje të dënimit”, pati deklaruar ajo.
E emocionuar dhe shumë e mllefosur ajo thoshte se “dënimi i duhur për të është ekzekutimi por diçka afër tij është dënimi me burgim të përjetshëm”.
Gruaja e 32-vjeçarit kishte thënë se nuk duhet t’i ulet dënimi të akuzuarit vetëm se është penduar për veprën që ka kryer.
“Kinse i akuzuari u pendua për vrasjen edhe nëse pendohet çka? Me atë fjalë gojë t’i ulet dënimi a? Ai është dashur të pendohet në momentin që është kryer vrasja e jo duke u munduar t’i fsheh provat dhe duke e kontrolluar kuletën e bashkëshortit tim, tanimë të ndjerë.”
Madje ajo pati bërë një lutje publike për këtë rast tragjik për të cilin thotë se e ka shkatërruar atë.
“Kisha bërë lutje publike mos luani me ndjenjat e tona, kemi dhimbje të madhe në shpirt dhe ende po vazhdoni të hidhni krip mbi varr. Turp nëse një gjë e tillë ndodhë. Unë nuk dorëzohem kam fëmijët qe me mbajnë gjalle dhe janë drita syve te mi. Kurse për atë ndyrësirë kam një urim, uroj që malli i fëmijëve dhe lotët e mi t’ia nxajnë frymën dalëngadalë“, kishte përfunduar ajo prononcimin e saj për Sinjalin ./GazetaSinjali/