26-11-2024

Dyshohet se vrau të riun nga Kukësi, paraburgim ‘Kobrës’ dhe 5 punonjësve të lokalit

Gjykata e Prizrenit ka lënë në burg Dibran Hoxhajn, i cili akuzohet për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu dhe plagosjen e shokut të tij Rufgen Shehu. Ndaj Dibran Hoxhajt, i njohur ndryshe si ‘Kobra’ rëndojnë akuzat për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulimi me prova”.

Gjykata e Prizrenit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg për 30 ditë Hoxhajn, vëllanë e tij Enver Amrallahi dhe katër personat e tjerë, të cilët ishin të punësuar në lokalin ku ndodhi konflikti me të rinjtë nga Kukësi. Ndaj Arben Vezajt, Burim Mazrekut, Jesmir Badallit, Kujtim Gashit dhe Enver Amrallahit rëndon akuza për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Para gjykatës, Hoxhaj ka deklaruar vetëm se vëllai i tij nga nëna, Enver Amrllahi nuk ka qenë i pranishëm në momentin kur ka ndodhur ngjarja, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por ka shkuar në lokalin ‘Kobra City’ pasi ka marrë vesh lajmet se ka ndodhur diçka në lokal.

Shkaku i konfliktit që solli vrasjen e Visart Cengut mësohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh, me të cilën të rinjtë nga Kukësi nuk ishin pajtuar. Brenda lokalit ‘Kobra City’ ka nisur përplasja fizike mes tre të rinjve që kishin ardhur në Prizren nga Kukësi për të festuar. Pasi kanë dalë nga lokali gjatë tentativës për t’u larguar me automjetin e tyre, drejt të rinjve është qëlluar me armë zjarri nga pronari i objektit, Dibran Hoxhaj.

Për pasojë, Visart Cengu ka ndërruar jetë gjatë rrugës për t’u dërguar në spitalin e Kukësit, ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu është dërguar më pas në spitalin e Traumës në Tiranë ku paraqitet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orëve të para të mëngjesit të 3 janarit. Ndërsa xhaxhai i viktimës, teksa foli për mediat e Kosovës dha detaje, duke zbuluar se Visart Cengu ishte qëlluar nga prapa makinës dhe se plumbi i kishte prekur mushkërinë dhe një pjesë të zemrës.

Lexo edhe:
https://gazetaeprizrenit.net/varroset-kuksiani-i-vrare-ne-prizren-babai-i-tij-kurre-nuk-besoja-se-kemi-plumba-per-shqiptare/

Asnjë koment

Comments are closed.