25-11-2024

Ja si Vuçiq i arsyeton barrikadat në veri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e cilësoi si veprim të pamatur arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, nga autoritetet e Kosovës.

Vuçiq në një konferencë për media ka komentuar arrestimin e Dejan Pantiç, i cili dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës, si dhe veprimin e serbëve në veri, të cilët bllokuan rrugët me mjete të rënda.

“Shërbimet tona e kanë hetuar shumë seriozisht të gjithë rastin. Unë bisedova me partnerët ndërkombëtarë dhe theksova pamaturinë e atyre që kryen një veprim të tillë dhe kërcënuan edhe një herë paqen”, tha Vuçiq gjatë një konference për media.

Sipas Vuçiqit, serbët reaguan duke ngritur barrikada, pasi e kuptuan se “prisnin ditën kur dikush do të vinte për ta”.

“Pantiç është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, tha Vuçiq.

Sipas Vuçiqit, Pantiç jeton në ndërtesën ku gjendet edhe njëra nga zyrat e komisioneve komunale, që u dëmtuan gjatë 6 dhjetorit, kur zyrtarët zgjedhorë, nën përcjelljen e Policisë, kishin tentuar të shkonin.

Pas arrestimit të Pantiçit, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët në veri, duke shtyrë Policinë e Kosovës të mbyllë përkohësisht pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Vuçiq akuzoi autoritetet në Kosovë se kanë shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të vitit 2020.

“Prishtina do ta dorëzojë zyrtarisht aplikimin për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian më 15 [dhjetor] me bujë të madhe. Është një ngjarje e pakëndshme për ne, shkatërrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit”, tha ai.

Përndryshe, Kurti ka paralajmëruar se gjatë këtij muaji Kosova aplikon për anëtarësim në BE.

Marrëveshja e Uashingtonit, të cilës iu referua Vuçiq, veç tjerash, parashihte një moratorium njëvjeçar për Kosovën dhe Serbinë. Kosova ishte zotuar se për një vit nuk do të aplikonte për anëtarësim në institucione e organizata ndërkombëtare, afat ky i cili tanimë ka kaluar. Ndërkaq Serbia të ndalte fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.