Ylli apo Trepça, kush do t’i gëzohet titullit sonte?
Pas një rrugëtimi të gjatë, ky edicion do të përfundojë sonte në Mitrovicë.
Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të ndeshen në sfidën vendimtare, ku kush fiton do të shpallet kampion i Kosovës.
Seria finale është 2:2, që ishte tejet emocionuese, kurse interesimi për finalen e pestë të “Play-offit”, është i jashtëzakonshëm.
‘Xehetarët’ fituan 77:68 dhe 85:78, derisa therandasit fituan 80:79 dhe 75:71.
Mitrovicasit duan titullin e pestë në histori të klubit, apo të parin që nga viti 2012, kurse therandasit të tretin, ku më 2021 dhe 2022 ishin shpallur kampionë të Kosovës.
‘Xehetarët’ synojnë trofeun e katërt këtë edicion, pasi kanë fituar Kupën, Superkupën dhe Ligën Unike.
Trepça në gjysmëfinale eliminoi Sigal Prishtinën 3:0, derisa Golden Eagle Ylli, në çerekfinale mundi Bashkimin 2:0 dhe Pejën në gjysmëfinale 3:2.
Mitrovicasit në edicionin e rregullt përfunduan në vendin e parë me 25 fitore e tri humbje, kurse therandasit në vendin e tretë me pikë të barabarta me Pejën që ishte e dyta me 19 fitore e nëntë humbje.
Në garat e rregullta të elitës, të dy skuadrat kishin nga dy fitore ndaj njëra tjetrës, derisa mitrovicasit triumfuan edhe në Ligën Unike ndaj therandasve dhe në gjysmëfinale të Kupës.
Ndeshja zhvillohet sonte në Mitrovicë nga ora 19:00.