Zafir Berisha garon për deputet në listën e AAK-së
Zafir Berisha njoftoi sot se do t’i bashkohet listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen më 28 dhjetor.
Kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), përmes një postimi në Facebook ka shpjeguar arsyet e angazhimit të tij politik në këtë proces, duke ka deklaruar se në garën e 28 dhjetorit hyn me motivin për të dhënë kontribut kundër, siç është shprehur ai, “të keqes që e ka kapluar Kosovën” dhe kundër “sektit politik të Albinit”, të cilin e akuzon për çorientim të shtetit dhe mashtrim të qytetarëve me premtime boshe.

Berisha ka theksuar se me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, e lidh “e kaluara për liri” dhe përgjegjësia e përbashkët ndaj vendit. Sipas tij, rreshtimi me AAK-në është vazhdimësi e përpjekjeve për një Kosovë më të përgjegjshme dhe pa mashtrime.
Në postimin e tij, Berisha është ndalur edhe te pritshmëritë e disa miqve dhe bashkëpunëtorëve, të cilët, siç thotë ai, kanë shpresuar që ai të rreshtohej krah Bedri Hamzës. Mirëpo Berisha e ka cilësuar kandidaturën e Hamzës si “kukull”, të manipuluar nga struktura të PDK-së, duke pretenduar se ai po përdoret për interesa të ngushta partiake.

“Unë nuk kam mundur të jem pjesë e asaj loje,” shkruan Berisha, duke theksuar se angazhimi i tij politik është i motivuar nga interesi për Kosovën dhe jo nga skenarë të dështuar apo, siç i quan ai, “figurina politike që tunden sipas interesit të dikujt tjetër”.
