Zafir Berisha mbështet Artan Abrashin në Prizren
Kryetari i Bashkimit Demokratik të Prizrenit (BDP), Zafir Berisha, ka mbajtur sot një takim me strukturat dhe mbështetësit e subjektit të tij politik, ku ka bërë publike vendimin për të mbështetur kandidatin Artan Abrashi në garën për kryetar të Prizrenit.
“Prizreni nuk është thjeshtë një qytet, është zemra e kulturës, e bashkëjetesës dhe e krenarisë shqiptare. Është qyteti ku historia e Kosovës flet në çdo gur, në çdo rrugë e në çdo njeri që punon ndershëm për këtë vend”, tha Berisha.

Ai nënvizoi se Bashkimi Demokratik i Prizrenit nuk është vetëm një parti, por një zë i qytetarëve dhe forca e bashkimit, ndërsa mbështetja për Abrashin përfaqëson një vendim “të mençur, të përgjegjshëm dhe strategjik”.
“Të mbështesim Artan Abrashin si kandidatin që mund ta çojë Prizrenin drejt zhvillimit, transparencës dhe progresit të vërtetë. Kjo nuk është thjeshtë një mbështetje politike, është një aleancë për qytetin, për të rinjtë që kërkojnë mundësi, për familjet që duan siguri dhe për bizneset që duan zhvillim”, u shpreh ai.
Berisha u bëri thirrje të gjithë anëtarëve e mbështetësve të BDP-së që më 9 nëntor të mobilizohen në çdo lagje e çdo familje për ta mbështetur Abrashin, duke e quajtur këtë votë “një votë për Prizrenin që duam të drejtë, punëtor dhe modern”.

“Kur BDP-ja flet, Prizreni dëgjon. Kur BDP-ja vepron, Prizreni ndryshon. Dhe kur BDP-ja bashkohet, fiton Prizreni”, deklaroi Berisha.
