Zafir Berisha me akuza të rënda ndaj “kundërshtarëve të ndryshimeve” në UPZ
Deputeti Zafir Berisha, që njëherësh është kryetari i Nismës Socialdemokrate në Prizren, përmes një postimi në ‘facebook’ , derisa ka shkruar për gjendjen e krijuar rreth zgjedhjes së Rektorit të Universitetit Publik “Ukshin Hoti” ka sulmuar disa mësimdhënës e zyrtarë të këtij institucioni duke përdorur vlerësime nga më të ndryshmet, si “kopukë, pinjollë e pleshta”.
Ja postimi i plotë i tij:
“Përpjekjet e “kopukëve” të “Klanit Pronto” dhe pinjollve “pleshtave” të tyre, po dështojnë që Universitetin e Prizrenit ta mbajnë pengë në duart e hajdutëve dhe kusarëve të cilët për vite të tëra kanë devalvuar çdo gjë edukative e shkencore në këtë universitet!
Artan Nimani nga Dushkaja e Gjakovës, Ragip Gjoshi nga Komorani e Ylli Kortoqi nga Tropoja me ndihmën e Kadri Kryeziut nga Pagarusha e disa pseudointelektualve të tjerë si përfaqësues të bandave kriminale, duke manipuluar një grumbull “studentësh” me çdo kusht dhe çdo çmim mundohen të pengojnë ndryshimet e shumëpritura në U.Pz.
Universiteti i Prizrenit që nga themelimi ka qenë çdo gjë, vetëm i Prizrenit nuk ka qenë!
Në momentin që ka përpjekje për me i dhanë kuptimin që e meriton dhe me ju kthyer misionit për të cilën është themeluar U.Pz, pseudointelektualët të “hunit e konopit” me ndihmën edhe të disa legenëve në organet e drejtësis, bëhen bashkë duke i manipuluar edhe një grumbull “studentësh”për ti shtuar përpjekjet e fundit , sikurse gomari me shqelmat e fundit para se me ngordh, me penguar ndryshimin pozitivë… Universiteti i Prizrenit nuk është pronë private e askujt , prandaj ju hajdut e kusarë hiqni dorë se u behet “gazi botës” dhe leni studentët të studiojnë!!!”, ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net/