‘Zambaku i Prizrenit’ fton muzikantët të marrin pjesë në edicionin e tridhjetë
Këshilli organizativ i festivalit në fillim të këtij muaji ka hapur konkursin për këngët pjesëmarrëse në festival, i cili do të mbahet në qershor të këtij viti. Konkursi mbetet i hapur deri në fund të muajit prill.
Përmes një komunikate për media, organizatorët e festivalit i ftojnë të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë nga të gjitha trevat shqiptare të konkurrojnë për pjesëmarrje në këtë edicion.
“Kënga e kënduar, e orkestuar, e kompletuar në të gjithë elementët përbërëse të saj dhe e regjistruar në CD, duhet të dorëzohet me një zarf në zyret e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Prizrenit (në zarf të hapur me shifër, kurse në zarf të mbyllur jipen të dhënat për autorin e muzikës, të orkestruesit dhe të tekstit).”, bëhet e ditur në komunikatë.
‘Zambaku i Prizrenit’ në historikun e tij kishte për qëllim mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kulturore përmes këngës së lehtë, si dhe ishte fryt i punës aktive të shumë aktivistëve kulturor prizrenas. Ai është themeluar nga institucionet e atëhershme kulturore të Kosovës, si ngjarje e vetme kulturore që kultivon zhanrin e muzikës së lehtë si baladat, shansonet e serenatat.
Ky festival përveç karakterit reprezentativ, çdo vit është shquar edhe me kultivimin e artistëve dhe këngëve të reja të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në repertoarin e muzikës së lehtë, duke afirmuar personalitete të njohura të muzikës si këngëtar, kompozitor, poet, instrumentist, etj, të cilët i kanë begatuar vlerat e mirëfillta muzikore të vendit tonë./ KultPlus.com