26-11-2024

Zbulohen 145 kartmonedha dhe 1382 monedha metalike të falsifikuara në Kosovë

Paratë e falsifikuara vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë.
Ndërsa, raste të tilla janë duke u raportuar më së shumti kohëve të fundit, shkruan FrontOnline.

E, monedhat më të falsifikuara që po hasen në treg janë ato prej 100 dhe 2 eurove.

Kështu kanë bërë të ditur për FrontOnline, nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.

Sipas tyre, vetëm në tre mujorin e këtij viti janë ekzaminuar 488 kartëmonedha të cilat dyshohen se kanë qenë të falsifikuara.

“Në tremujorin e vitit 2022 janë ekzaminuar 488 kartëmonedha dhe nga ky numër rezultojnë 145 kartëmonedha të falsifikuara dhe nga këto shifra kartëmonedha me e falsifikuar është kartëmonedha në vlerë prej 100 euro”, thuhet për FrontOnline, në përgjigjen e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë.

Por, numër më i madh i rasteve me para të falsifikuara është paraqitur në kartëmonedhat metalike.

Shifrat kanë arritur mbi 1500.

“Në tremujorin e vitit 2022 janë ekzaminuar 1569 monedha metalike dhe nga ky numër rezultojnë 1382 monedha metalike të falsifikuara dhe nga këto shifra monedha metalike me e falsifikuar është monedha në vlerë prej 2 euro”, thuhet më tutje në përgjigje.

FrontOnline për këtë ka kërkuar përgjigje edhe në Policinë e Kosovës, se sa është numri i rasteve të raportuara dhe në cilat rajone po gjenden më së shumti para të falsifikuara por të njëjtit kanë dhënë statistika vetëm për vitin 2021.

“Policia i evidenton rastet bazuar në emërtimet e Kodit penal, kështu ne po ua përcjellim numrin e rasteve ‘falsifikim i parasë’ për vitin 2021, ku janë iniciuar 866 raste në tërë territorin e vendit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për FrontOnline.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të nxirren nga qarkullimi dhe menjëherë t’u dërgohen autoriteteve të caktuara.

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë raportuar tetë raste të kartëmonedhave të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara.

Prej tyre pesë raste kanë qenë në Prishtinë dhe tri në Gjakovë./FrontOnline

Asnjë koment

Comments are closed.