19-12-2025

Zbulohen mbi 10 mijë euro të fshehura në trupin e një udhëtari në Aeroport

Në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në arritje, zyrtarët doganorë kanë kryer kontrollin e një udhëtari dhe bagazhit të tij. Gjatë skanimit fillestar dhe kontrollit fizik të udhëtarit, në trupin e tij, të fshehura në çorape, është gjetur një shumë e konsiderueshme parash të padeklaruara prej 8,000 funta britanike, përveç një shume tjetër që udhëtari mbante me vete.

” Në total, shuma e gjetur ishte 9,300 funta britanike, e cila sipas kursit zyrtar të këmbimit përkthehet në 10,611.59 euro”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.

Në përputhje me legjislacionin në fuqi, udhëtarit i është shqiptuar masa administrative prej 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve monetare është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave ligjore. Rasti është referuar gjithashtu sektorit të Hetimeve për procedim të mëtejshëm.

“Forcimi i kontrolleve në pikat kufitare mbetet prioritet, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore, kontrabandës dhe veprimtarive të tjera të paligjshme, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe interesave financiare të shtetit”, thuhet në njoftim.

Asnjë koment

Comments are closed.