Zbulohet emri i personit që goditi me motoçikletë policin në Prizren
Në Vlashnjë të Prizrenit, dje një zyrtar policor u godit me motoçikletë nga një person.
I dyshuari që sulmoi policin fillimisht arriti të ikë, por pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme nga Policia, i njëjti përfundoi në pranga.
Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari për këtë rast është Imran Hoxhaj, rreth 21-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Hoxhaj dyshohet se ka shpërfillur urdhrat e Policisë për t’i prezantuar dokumentet pasi u ndal për kontroll nga një njësi policore që po patrullonte në atë pjesë.
Në shenjë revolte, Sinjali merr vesh se i dyshuari me qëllim nuk ka zbatuar urdhrin zyrtar dhe në mënyrë të vrullshme është nisur me motoçikletë, duke e goditur një zyrtar policor.
Polici ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa Policia ka vazhduar për të ndjekur të dyshuarin, por i njëjti fillimisht arriti të ikë.
Megjithatë, pas asistimit të patrullave nga stacioni policor në Prizren, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar, ndërsa motoçikleta i është sekuestruar.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe pas përfundimit të procedurave policore është dërguar në mbajtje.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.