Zbulohet kush është 30-vjeçari nga Prizreni që sulmoi Policinë, kërkohej për dy urdhërarreste
Në Prizren u arrestua një person që sulmoi Policinë. Rasti ndodhi në rrugën “5 Maji”, ku një njësi policore u sulmua nga një person, të cilin e ndalën për kontroll dhe verifikim, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari fillimisht tentoi t’i shpëtojë arrestimit, duke e goditur me veturë njërin prej policëve dhe u arratis, por nuk shkoi gjatë dhe u kap nga zyrtarët policorë.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë është V. Kastrati, rreth 30-vjeçar.
Kastrati u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ndërsa rezultoi se ishte në listën e personave të kërkuar në bazë të dy urdhëresave.
Pas përfundimit të procedurave, i riu u dërgua në vuajtje të dënimit, ndërsa me urdhër të prokurorit, është iniciuar hetimi për rastin e fundit, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.