08-10-2025

Zbulohet para e falsi’fikuar në Procredit Bank në Prizren – kartëmonedha e monedha në qarkullim, rasti shkon në Prokurori

Trendi i parave të falsifikuara ka ‘lulëzuar’ në Kosovë për një kohë të gjatë, ku qindra e mijëra euro false janë vënë përditë në qarkullim. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa monedhat metalike që më së shumti dalin false janë 1 dhe 2 euro, si dhe kartëmonedhat 50 e 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka dalë në pah në qytetin e Prizrenit, pasi gjatë procesit të verifikimit në një bankë janë zbuluar dhjetëra kartëmonedha dhe monedha të dyshuara si të falsifikuara.

Burime nga Prokuroria bëjnë të ditur se rasti është regjistruar në periudhën 30 qershor – 24 shtator 2025, në rrugën “Ekrem Rexha” në Prizren, ku është paraqitur në stacion punëtori i bankës ProCredit Bank, E. M.

Ai ka dorëzuar në polici dëshmi materiale me vlerë totale prej 677 eurosh, për të cilat aparati i detektimit të valutës ka konstatuar dyshim për falsifikim.

 
Në mesin e parasë së dyshuar janë: 1 kartëmonedhë prej 200 euro, 3 kartëmonedha nga 100 euro, 4 kartëmonedha nga 50 euro, 1 kartëmonedhë prej 5 euro, 3 monedha prej 2 euro, dhe 4 monedha prej 1 euro.
Pas pranimit të kallëzimit, është njoftuar hetuesi kujdestar, i cili në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka urdhëruar që rasti të iniciohet si “Falsifikim i parasë” dhe të dërgohet për hetime të mëtutjeshme.

Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar burimin e valutës së falsifikuar.

Asnjë koment

Comments are closed.