07-08-2025

Zbulohet plani sekret i rrethit të Trump për Ukrainën – ofrohet armëpushim me njohje të territoreve të pushtuara nga Rusia

Një plan i propozuar nga rrethi i presidentit amerikan, Donald Trump, është zbuluar nga media polake Onet, duke ngritur shqetësime për një qasje të re ndaj konfliktit në Ukrainë që favorizon interesat ruse.

Sipas raportimeve, propozimi synon ndalimin e luftimeve përmes një armëpushimi afatgjatë, pa një marrëveshje përfundimtare paqeje. Plani përfshin njohjen faktike të territoreve të pushtuara nga Rusia, si dhe lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës.

Burimet e cituara nga Onet thonë se kjo ofertë është dërguar tashmë në Moskë dhe dyshohet të jetë koordinuar me disa fuqi evropiane, megjithëse ende nuk ka konfirmim zyrtar nga asnjë qeveri.

Plani, i përshkruar si një “ofertë e fshehtë për armëpushim”, nuk përfshin kthimin e territoreve të pushtuara në Ukrainë dhe nuk garanton siguri afatgjatë për vendin, duke ngritur shqetësime në Kiev dhe në mesin e partnerëve perëndimorë të Ukrainës.

Pikat kryesore të propozimit:

Armëpushim, jo paqe: Luftimet do të ndaleshin, por statusi ligjor i territorit do të mbetej i pazgjidhur.

Njohje de facto e territorit të pushtuar nga Rusia, ndërsa bisedimet zyrtare për statusin përfundimtar do të shtyhen për 49 deri në 99 vjet.


 

Lehtësimi i sanksioneve ndaj Rusisë, përfshirë rikthimin e eksporteve të naftës dhe gazit në Bashkimin Evropian.

Asnjë premtim për moszgjerimin e NATO-s, një çështje kyçe për Moskën.

Vazhdimi i ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, që sipas burimeve raportohet se është e pranueshme për Rusinë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Kremlini do ta pranojë këtë ofertë, ndërsa reagimet nga Ukraina dhe vendet e tjera perëndimore ende nuk janë bërë publike.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur zgjedhjet presidenciale në SHBA po afrojnë dhe politika e jashtme amerikane është në fokus të debatit publik dhe diplomatik.

Ndryshe, Trump pritet që shumë shpejt ta takojë presidentin rus, Vladimir Putin.

Asnjë koment

Comments are closed.