24-11-2024

Zbulohet skema e përftimit të 50 mijë eurove nga mashtrimi me kripto, prishtinasi bie viktimë e dy personave

Kështu e ka pësuar edhe një person në Prishtinë, i cili ka rënë pre e mashtrimit nga dy persona të cilët e shtynë të investojë, me premtime të rrejshme se do të përfitojë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se si për pasojë, të dyshuarit kanë përfituar kundërligjshëm hiç më pak se mbi 50 mijë euro, ndërsa viktima është mashtruar.

Gjatë dëshmisë së dhënë në Polici, viktima i ka zbuluar emrat e dy të dyshuarve, njëri prej të cilëve është emër i njohur për organet e rendit.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe kanë arritur që ta arrestojnë vetëm njërin prej tyre.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.

Ndërkohë po vazhdojnë kërkimet për kapjen e të dyshuarit tjetër.

Ndryshe, kriptovalutat prodhohen nga llogaritjet kompjuterike jashtëzakonisht komplekse dhe nuk kontrollohen nga bankat qendrore, për dallim nga monedhat tradicionale si dollari dhe euro.

Kjo është arsyeja pse rregullatorët në mbarë botën po shtojnë paralajmërimet e tyre për mashtrim, ndërsa auditorët financiarë po punojnë për rregullore që janë të përshtatshme për industrinë.

Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke fshehur faktet ose në çfarëdo mënyre tjetër mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, “e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe me këtë e nxit një person që të kryej apo të mos kryej një veprim, i cili rezulton në dëm material të pasurisë së tij/saj apo të pasurisë së personit tjetër ose rezulton në dobi pasurore të kundërligjshme, për veten apo personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet.”

Asnjë koment

Comments are closed.