25-11-2024

Zelenski: Rusia po përgatitet të bombardojë Odesën

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski paralajmëroi të dielën se Rusia po planifikon të bombardojë Odesën. Gjatë një deklarate televizive ai shtoi se nëse një gjë e tillë do të ndodhte “do të përbënte një krim lufte…një krim historik”.

Presidenti i Ukrainës, i cili foli në rusisht një pjesë të deklaratës, u kërkoi rusëve të zgjedhin mes jetës dhe skllavërisë, në një kohë kur siç tha, është ende e mundur të mposhtet e keqja, pa humbje të pariparueshme.

Të shtunën Presidenti rus Vladimir Putin tha se statusi i Ukrainës është në rrezik nëse vendi vazhdon në rrugën që po ndjek aktualisht.

Gjatë një takimi me punonjësit e Aeroflot, zoti Putin shtoi se çdo krijimi i zonave të ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, do të kishte pasoja kolosale dhe katastrofike jo vetëm për Evropën, por për të gjithë botën.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka kritikuar NATO-n për mos krijimin e një zone të ndalim-fluturimit, por aleanca perëndimore thotë një vendim i tillë mund të përshkallëzonte konfliktin me Rusinë.

Të shtunën në mbrëmje Presidenti Joe Biden zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës. Udhëheqësit biseduan për punën që Shtetet e Bashkuara, aleatët, partnerët dhe industria private po bëjnë për të rritur koston e luftës për Rusinë.

Zoti Biden tha se administrata e tij po rrit sigurinë, ndihmën ekonomike dhe humanitare për Ukrainën dhe se po punon me Kongresin për sigurimin e më shumë fondeve.

Udhëheqësi i shumicës në Senat Chuck Schumer njoftoi se më herët gjatë ditës së shtunë zoti Zelenski u takua me rreth 300 persona, mes tyre senatorë, anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe punonjës që ndihmës. Ai bëri një lutje të dëshpëruar për t’i dërguar vendit të tij më shumë avionë për t’u përballur me agresionin rus./voa/

Asnjë koment

Comments are closed.