Zëvendësministri Nerjovaj mohon akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Ka nisur shqyrtimi kryesor kundër zëvendësministrit të Administratës Publike, Bujar Nerjovaj i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, Nerjovajt i është lexuar aktakuza nga prokurori Metush Biraj, raporton KTV.
Nerjovaj ka mohuar të gjitha akuzat duke thënë se nuk e pranon fajësinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 30 tetor 2018, Bujar Nerjovaj, si drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, akuzohet se si person zyrtar me mosveprim duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.
Në aktakuzë thuhet se Nerjovaj, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë Komunale të Inspektorateve në Prizren, gjatë periudhës 2011-2013, nuk i ka siguruar kushtet për t’i ekzekutuar konkluzionet e lëshuara nga inspektorët e ndërtimtarisë, për rrënimin e detyrueshëm të mbindërtimeve dhe ndërtimeve të katër objekteve hoteliere në afërsi të sheshit “Shatërvan” në Prizren.
Objektet ishin ndërtuar pa leje apo në kundërshtim me lejet e dhëna, të gjitha këto të ndërtuara në Zonën e Parë të Qendrës Historike në Prizren, me ç‘rast është dëmtuar trashëgimia kulturore e arkitektonike e Qendrës Historike të Prizrenit. Si shkak i mos pagesës së detyrimeve, është dëmtuar buxheti i Komunës së Prizrenit për 36,143.00 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.