29-11-2024

Zgjerimi i aktakuzës ndaj Thaçit dhe të tjerëve pritet të shtyjë fillimin e gjykimit

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të mos fillojë as këtë vit meqë të njëjtit tani do të përballen me pretendime të reja të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Pas zgjerimit të aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, këta të fundit do të paraqiten ndaras të martën para gjyqtarit të procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara në Hagë. Me këtë fillon edhe rrjedhja afatit kohor për mbrojtjen që t’i bëjë kundërshtimet e saj lidhur me aktakuzën.

Taulant Hodaj, avokat i akredituar nga Specialja, vlerëson se zgjerimi i aktakuzës do të vonojë edhe më tutje fillimin gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Nëse i keni parë ato paraqitjet publike të para aty është planifikuar që vitin e kaluar të fillojë gjykimi dhe ato janë shtyrë në vazhdimësi vetëm me atë aktakuzë që ka qenë, tash me zgjerimin e saj padyshim që do të ketë shtyrje të periudhës se kur do të fillojë gjykimi.

Nuk besoj se këtë vit do të fillojë gjykimi fare sepse do të marrë shumë kohë, tash i takon e drejta mbrojtjes që të kundërshtojë dhe shumë mocione të tjera që do t’i përdorë, po ashtu edhe prokuroria e ka të drejtën e vet t’i përgjigjet kundërshtimeve të tyre dhe kjo merr kohë siç na ka treguar praktika në këtë rast dy vitet e kaluara”, thotë ai.

Duke folur për ketë rast, i cili ende është në procedurë paraprake, Hodaj thotë se do të nevojitet kohë e konsiderueshme për përgatitjen e lëndës dhe dorëzimit të saj të trupi gjykues, çka pastaj i hap rrugë fillimit gjykimit.

Ndërsa për paraqitjet që do të bëhen nesër në gjykatore në Hagë, Hodaj thotë se ata do të deklarohen rreth pikave të zgjerimit të aktakuzës.

“Është bërë ndryshimi i aktakuzës në kuptim të zgjerimit, pra zgjerimi i aktakuzës me dy pika u janë shtuar edhe disa raste për katër të akuzuarit. Pra janë këta të akuzuar dhe pikat e aktakuzës të njëjta siç kanë qenë më parë por janë shtuar disa vendngjarje. Pas kësaj konform rregullores së procedurës së provave i rrjedh afati mbrojtjes që t’i bëjë kundërshtimet e tyre paraprake në këtë procedurë”, thotë ai.

Gjykata Speciale ka njoftuar se “pas dorëzimit të aktakuzës së ndryshuar, Gjykatësi i Procedurës Paraprake në çështjen Thaçi dhe të tjerët caktoi paraqitjet e mëtejshme për secilin të akuzuar më 10 maj 2022”.

Sipas gjykatës, më 29 prill 2022 ZPS ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Aktakuza ndaj tyre lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para Dhomave të Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Para gjyqtarit të procedurës paraprake, Thaçi dhe të tjerët do të dalin të martën dhe paraqitjet e tyre të cilat do të jenë ndaras do të fillojnë prej orës 10:00.

Asnjë koment

Comments are closed.