Zgjerohet rrjeti i kanalizimit në Drenoc dhe Banjë të Malishevës
Në fshatrat Drenoc dhe Banjë të Malishevës janë duke vazhduar punimet në zgjerimin e rrjeteve të kanalizimit. Këto projekte realizohen në kuadër të realizimit të projekteve kapitale për vitin 2019, si dhe në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së përgjithshme, në veçanti të sistemit të rrjeteve të kanalizimit në vendbanimet e Komunës së Malishevës.
Punimet në zgjerimin e rrjeteve të kanalizimit në këto dy fshatra i kanë inspektuar nënkryetari i Komunë së Malishevës, Hajdin Berisha dhe drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, të cilët janë njoftuar nga afër me punimet dhe realizimin e projekteve.
“Zgjerimi i rrjeteve të kanalizimit është një prej obligimeve që kemi si komunë, në mënyrë që gradualisht, jo vetëm të zgjerohen këto rrjete, por të lidhen të gjitha së bashku në një vend dhe në fund të bëhet trajtimi i tyre”, tha Berisha. Sipas tij nuk është e mjaftueshme, vetëm largimi ujërave të zeza nga vendbanimi, por në planin afatgjatë, edhe të trajtohen.
Përndryshe, në fshatin Drenoc, janë duke u ndërtuar dy kilometra rrjet i ri i kanalizimit, ndërsa në Banjë, rreth 1300 metra rrjet, të cilat financohen nga buxheti i Komunës së Malishevës.