07-04-2026

Zhduket një grua nga Prizreni, u pa për herë të fundit duke u larguar me një veturë

Një rast shqetësues i zhdukjes së një gruaje është raportuar në Prizren, ku familjarët nuk kanë asnjë informacion për fatin e saj prej disa ditësh.

Siç mëson Sinjali, rasti është raportuar më 6 prill 2026 rreth orës 16:30 në nënstacionin policor në Zhur, nga bashkëshorti i saj, L.B., i cili ka deklaruar se gruaja e tij, I.S. rreth 32 vjeçe, është zhdukur që nga 4 prilli.

Sipas ankuesit, ajo kishte dalë nga shtëpia në fshatin Billushë rreth orës 07:00 për të shkuar në vendin e punës në një hotel në fshatin Vërmicë, ku punonte si pastruese. Nga aty, rreth orës 12:00, ajo është larguar me një veturë të panjohur, pa u identifikuar targat apo modeli i saj, dhe që nga ai moment nuk është kthyer më në shtëpi.

Siç mëson Sinjali, edhe kamerat e sigurisë nuk kanë arritur të identifikojnë mjetin me të cilin është larguar.

 

Familjarët e saj në fshatin Ngucat të Malishevës janë kontaktuar, por as ata nuk kanë ndonjë informacion për vendndodhjen e saj.

Policia ka nisur hetimet për rastin e personit të zhdukur dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për lokalizimin e saj.

Asnjë koment

Comments are closed.