15-06-2025

“Zhurma që s’duan ta dëgjojnë”- Totaj përballë tensioneve të brendshme, opozita me gjysmëzëri

Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së Degës së PDK-së në Prizren, ku u vendos zyrtarisht rikandidimi i Shaqir Totajt për kryetar komune, mungesa e drejtorit të Shërbimeve Publike, Çelë Lamajt, njëherësh shok i Totajt, ka ngritur jo pak pikëpyetje.

Në politikë, mungesat nuk janë gjithmonë teknike – ndonjëherë ato janë mesazhi më i qartë që kuptohet.

Mungesa vjen në një kohë kur javën e kaluar u raportua për një përplasje fizike mes Lamajt dhe Nehat Elshanit, shef i kabinetit të Totajt. Edhe pse kryetari dhe njerëzit përreth, të cilët as që guxojnë t’u ndihet zëri, kanë tentuar ta heshtin ngjarjen, ajo tashmë ka dalë në opinion, duke nxjerrë në pah tensione të brendshme të përfolura në qeverisjen lokale.

Kur shembet fasada – çfarë fshihet pas heshtjes?

A ishte mungesa e Lamajt në këtë mbledhje të rëndësishme një akt simbolik, një shenjë distancimi apo proteste ndaj zhvillimeve të fundit? Një arsye zyrtare nuk është dhënë, duke tentuar të heshtet, por është e vështirë të besohet se ai do të mungonte pa shkak aty ku vendosej fati politik i personit që e ngriti në post, pavarësisht numrit tepër të ulët të votave, që merrte Lamaj.

Në fakt, sipas informatave, përplasja e fundit nuk është incident i izoluar. Burime të brendshme bëjnë të ditur se në “Shtëpinë e Bardhë” të Prizrenit ka ndodhur të paktën edhe një rast, ku kryetari është sfiduar përballë tensioneve dhe kërcënimeve mes zyrtarëve, duke treguar pafuqishmërinë e tij, çështje të cilës sadopak i ka mëshuar së fundi opozita, duke e vlerësuar Totajn një “kryetar kukull”.

Qetësia para stuhisë në Prizren

Zhvillimet e fundit kanë lënë shije të hidhur edhe për qytetarët e Prizrenit, të cilët, pavarësisht tentativave për fshehje të krizave të brendshme, kanë dëshmuar se dinë të reagojnë në mënyrën më të qartë dhe demokratike – në kutitë e votimit. E pikërisht aty, historia ka treguar se prizrenasit e kanë ndëshkuar “zullumqarin”, pavarësisht forcës politike që e ka sjellë në pushtet.

Në anën tjetër opozita ka reaguar në mënyrë të zbehtë dhe të papërfunduar, pa marrë një qëndrim të qartë përballë situatës që po e tensionon skenën politike lokale. Pyetja që shtrohet është: A mos po frikësohet opozita të reagojë apo ndoshta shpreson që tensionet vetvetiu do t’i sjellin vota në vjeshtë?!

Një sjellje e tillë a mund të merret paaftësi ose kalkulim me kundërgoditje politike?! Në një moment kur qytetari ka nevojë për qartësi, opozita e lë në mjegull. Në një kohë kur pushteti po përçahet nga brenda, opozita as nuk godet, as nuk përfiton?!

Në këtë atmosferë të trazuar politike, ku edhe më të heshturit po flasin, sidomos për rastin e subvencioneve “elektorale” në kulturë, ku paratë e qytetarëve po u jepen individëve e OJQ-ve pasive, përjashtuar ndonjë reagim individual në rrjete sociale, opozita pak dëgjohet – një luks që votuesi, historikisht, nuk e falë lehtë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.