14-03-2025

ZRRE-ja propozon shtrenjtimin e tarifave të rrymës për rreth 15 për qind

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) njoftoi të premten se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind.
Rregullatori i energjisë tha në Facebook se, bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind muajin e ardhshëm.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kërkuan rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.

Lexo edhe:

“Fenomeni” Vetëvendosje në rajonin e Shaqir Totajt dhe komunën e udhëhequr prej tij

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

ZRRE-ja i ftoi konsumatorët, ndërmarrjet e rregullta dhe palët e interesuara për konsultim publik për propozimin e saj për rritje të tarifave të rrymës për 15 për qind.

Ajo tha se komentet dhe sugjerimet e tyre do t’i pranojë deri më 28 mars, para se bordi i saj të marrë vendim përfundimtar për shtrenjtimin e rrymës.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Asnjë koment

Comments are closed.