ZRRE: Kompanitë energjetike kërkojnë rritjen e çmimit të rrymës
Kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë kanë bërë kërkesë për rritjen e çmimit të tarifave të rrymës, konfirmon për Radion Evropa e Lirë kreu i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), Ymer Fejzullahu.
“Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOST], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kanë dorëzuar aplikimet për shqyrtimin e tarifave”, thotë Fejzullahu, por nuk saktëson se sa është kërkesa e tyre për rritje.
Aktualisht, thotë ai, ZRRE-ja është në fazën e vlerësimit të këtyre aplikimeve.
Pas përfundimit të këtij procesi, ai thotë se ky institucion do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit, i cili do të jetë i disponueshëm edhe për konsultim publik.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë./REL/