Autoritetet komunale të Mamushës presin që niveli qendror t’i kryejë në afatin sa më të shkurtër kohor procedurat për kompensimin e dëmeve nga vërshimet në bujqësi e amvisëri.
Sipas tyre, vlera e këtyre dëmeve është 2.5 milionë euro, me ç’rast më të prekurit nga vërshimet e muajit gusht kanë qenë bujqit, pasi që vlera e dëmeve në këtë sektor kap shumën prej 2.3 milionë eurove, shkruan sot Koha Ditore.
Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për kompensimin e dëmeve në këtë komunë, por pritet vendimi i Ministrisë së Financave rreth mundësive buxhetore.
Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniq, të mërkurën ka bërë të ditur se raporti për dëmet në bujqësinë dhe amvisëritë e kësaj komune është dërguar në Qeveri. “Vlera e dëmeve në bujqësi është mbi 2.3 milionë euro, derisa te 44 amvisëritë është më pak se 200 mijë euro”, ka thënë Krasniq. Ai ka theksuar se edhe zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë kanë ardhur në Mamushë për vlerësimin e dëmeve në këtë sektor, me ç’rast është konstatuar vlera e përafërt e dëmeve.