Zyrtare: Nëse votohet Albin Kurti, votat për të shpallen të pavlefshme dhe nuk llogariten
Sipas një sqarimi të Komisionit Qendror Zgjedhor, nëse votohen numrat e kandidatëve që nuk janë certifikuar, ato vota nuk numërohen. KQZ’ja thotë se numërohet vota për partinë dhe kandidatët e certifikuar, ndërsa nuk llogaritet vota që i jepet atij kandidati që s’është certifikuar. Më poshtë gjeni gjithë sqarimin e KQZ’së dhënë Gazetës Express.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe dy deputetë të tjerë të kësaj partie s’janë certifikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkaku i problemeve me ligjin. Bashkë me ta, s’janë cerfikuar as dhjetëra kandidatë nga partitë e tjera.
VV thotë se Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Bajram Mavriqi vazhdojnë të jenë pjesë e listës zgjedhore së Lëvizjes Vetëvendosje, ani pse asnjëri prej tyre s’ka arritur të certifikohet për të marrë pjesë në zgjedhje. Por, pavarësisht se janë pjesë e listave, votat për këta kandidatët e pacerfikuar do të konsiderohen të pavlefshme.
Një gjë të tillë e kanë konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar”, ka deklaruar Elezi.
Ai ka sqaruar edhe procedurën lidhur me nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve.
“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar”, thuhet në përgjigjet e Elezit drejtuar gazetës.
Ndryshe, Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar javën e kaluar se ka pranuar pjesërisht ankesën e Vetëvendosjes lidhur me certifikimin e kandidatëve për garën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas kësaj Gjykate, Liburn Aliun dhe Labinotë Demi Murtezi duhet të shtohen në listën e kandidatëve të LVV-së, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë vlerësim të gabuar të dënimit trevjeçar.
“Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se afati 3-vjeçar duhet të llogaritet duke iu referuar datës së aktgjykimit penal të formës së prerë për secilin kandidat veç e veç e deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve, që në këtë rast është data 14 shkurt 2021”, thuhet në vendim.
Sipas këtij vendimi, i bie se Kurti, Haxhiu dhe Mavriqi, s’mund të kandidojnë në zgjedhje.
Në mbledhjen e mbajtur më 22 janar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi për të mos certifikuar listat me kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate dhe disa parti të komuniteteve joshumicë. Në këtë mbledhje, Nisma Socialdemokrate nuk u certifikua as si parti.
Ky vendim i KQZ-së nxiti reagime të shumta të partive politike, pasi vetë Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim kishte rekomanduar që të certifikohen listat zgjedhore të të gjitha partive.
Gjatë seancës së 22 janarit, anëtarët e KQZ-së miratuan listat me kandidatë që nuk ishin ndesh me ligjin apo të atyre partive, që kishin zëvendësuar emrat në listat e tyre pas verifikimit të kryer nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, të publikuar dhjetorin e kaluar, lidhur me zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga Avdullah Hoti, KQZ-ja ka ndërmarrë një proces të verifikimit të kandidatëve për deputetë, për të parë nëse ata nuk kanë probleme me ligjin.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në një përgjigje dërguar KQZ-së më herët gjatë muajit të kaluar, ka thënë se 47 kandidatë për deputetë kanë probleme me ligjin.
Aktgjykimi i Kushtetueses, por edhe neni 29 i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, thotë se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person, i cili gjatë tri vjetëve të fundit ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë./Gazeta Express