Zyrtarët e Prizrenit mohojnë fajësinë për rrënimin aneksit të “Abi Çarshia”, pala e dëmtuar kërkon zgjerim të aktakuzës
Zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, të akuzuarit, kanë thënë se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzën me të cilën ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të dëmtuarës, “ABI” SHPK, avokati Taulant Hodaj, ka kërkuar nga prokuroria që të zgjerohet aktakuza edhe ndaj udhëheqësit të sektorit ligjor, Arben Krasniqi.
“Dëmi është shkaktuar nga të lartcekurit në aktakuzë dhe sipas deklaratave dhe shkresave të lëndës ne mendojmë se këto vepra penale kanë ardhur edhe nga shtytja e Arben Krasniqit, zyrtar ligjor në Komunën e Prizrenit. Me mirësjellje kërkojmë nga Prokuroria që të shqyrtojë edhe njëherë shkresat e lëndës dhe të zgjerojë aktakuzën në kuptim subjektiv ndaj Arben Krasniqit”, tha avokati Hodaj.
Ai shtoi se dëmi i shkaktuar nga të akuzuarit tejkalon shifrën e përcaktuar në aktakuzë dhe sipas tij, një gjë e tillë do të vërtetohet nga ekspertizat përkatëse gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor.
Pasi që të akuzuarit e kanë mohuar fajësinë, gjykatësja Kymete Kicaj, i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, ndërsa seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar më 24 shkurt 2020, në ora 10:00
Ndryshe, i akuzuari Shqipëron Krasniqi dhe udhëheqësi i sektorit ligjor në Komunën e Prizrenit Arben Krasniqi, që nga data 16 janar 2020, gjenden në paraburgim për një rast tjetër që ka të bëjë me vepër të njëjtë penale.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, duke i ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në aktakuzë thuhet se me 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SHPK në Prizren.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim, të njëjtit veprojnë në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat janë anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.
Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi, me ç’rast gjatë rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” i shkaktojnë dëm në shumën prej 69,729.66 euro.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi