Zyrtari i komunës në Prizren bën kallëzim penal ndaj AAK-së për kallëzim të rremë ndaj tij
Drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Osman Hajdari, ka bërë të ditur se ka paraqitur kallëzim penal ndaj Degës së AAK-së në Prizren si dhe përfaqësuesit ligjor të saj, me pretendimin se ata kanë kryer veprën penale të lajmërimit apo kallëzimit të rremë penal, raporton “Koha Ditore”.
Zyrtari i ekzekutivit të Prizrenit ka vlerësuar se subjekti i sipërpërmendur ka kryer këtë vepër penale me rastin e lakimit të emrit të tij te një kallëzim penal i datës 3 janar 2020, i paraqitur në Prokurorinë Themelore të Prizrenit. Hajdari ka përkujtuar se asokohe ka reaguar ndaj pretendimeve të partisë opozitare duke kundërshtuar përmendjen e emrit të tij në këtë kallëzim penal.
“Natyrisht, duke qenë se për kallëzimin penal në fjalë, AAK nuk ka pasur asnjë element të bazuar që të më rendis në kallëzim penal; për më shumë, lidhur me ketë akt të AAK-së unë kam reaguar menjëherë dhe kam kërkuar nga AAK Dega në Prizren që të kërkojë falje publike. Kësisoj, duke e parë se AAK-ja nuk ka bërë asnjë reflektim për kallëzimin në fjalë, me këto veprime kanë kryer veprën penale ‘Lajmërimi apo kallëzimi i rremë penal’ nga neni 382 paragraf 1 të Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë Hajdari, teksa ka konfirmuar dorëzimin e kallëzimit penal ndaj AAK-së, si subjekt politik dhe përfaqësuesit ligjor të saj. “Në këtë mënyrë, për palët që nuk reflektojnë në aspektin njerëzor, moral dhe etik, vetëm gjykata i përmirëson”.
Përfaqësues nga Dega e AAK-së në Prizren nuk kanë komentuar pretendimet e drejtorit Hajdari.
Në fillim të muajit janar të këtij viti, Dega e AAK-së në Prizren, pat paraqitur kallëzim penal ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Prizrenit me pretendimin se kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare me rastin e lejimit të këmbimit të një prone komunale me një pronë private në mënyrë të kundërligjshme.
Në këtë kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, drejtorit të Administratës, Osman Hajdari, drejtorit të Urbanizmit, Fatmir Memaj, udhëheqësit të Zyrës ligjore, Arben Krasniqit dhe përfaqësuesit ligjor, Shqipron Krasniqi, thuhej se të lartpërmendurit nga viti 2018 deri me 31 janar 2019, “kanë shpërdorë pozitën e tyre zyrtare, në cilësi të personit zyrtar e duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, në atë mënyrë që në procedurën gjyqësore CN nr.521/18, në Gjykatën Themelore në Prizren në bashkëveprim kanë lejuar këmbimin e pronës që është pronë e Komunës së Prizrenit, ashtu që një pjesë të ngastrës kadastrale 3036/4 pronë e Komunës së Prizrenit, e kanë këmbyer me pronën e regjistruar si njësi kadastrale numër 3038, pronë e ndërmarrjes ‘Euro Center’ me pronar V.J. nga Prizreni, e kjo në kundërshtim me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës…”.
“Me këtë i kanë shkaktuar Komunës dëm material në vlerë mbi 50 mijë euro. Me këtë në bashkëveprim kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me par1, lidhur me nenin 31 të KP-së”, thuhej në kallëzimin penal të AAK-së.
Në arsyetimin e këtij kallëzimi penal, pos tjerash thuhet se në këtë procedurë nuk bëhet fjalë për përtëritje apo rregullim të megjeve, por për këmbim të pronës, me favorizim të investitorit dhe në dëm të komunës.
Mirëpo këto pretendime të partisë opozitare i pat hedhur poshtë drejtori i Administratës, Osman Hajdari, i cili pat theksuar se lidhur me këtë çështje vendimi është marrë në gjykatë, dhe se “në asnjë rast nuk është me procedura të kompetencës së establishmentit komunal, aq më pak, në domenin e Drejtorisë së Administratës”. Sipas tij, opozitës i ka penguar suksesi i administratës së qeverisjes aktuale, dhe për këtë arsye kanë ndërmarrë veprim të kësaj natyre. “Me këtë rast, ia bëj me dije AAK-së dhe autorëve të këtij kallëzimi penal ende të pavërtetuar dhe aspak të bazuar se ne nuk do të rrimë duarkryq, dhe se konform ligjeve do të ngrehim padi për shpifje dhe dëmtim të imazhit; kësisoj t’i japim fund opozitarizmit me akuza të pabazuara ligjërisht dhe të motivuara politikisht”, pat thënë Hajdari.
Megjithëkëtë, lidhur me këtë rast, dy zyrtarët ligjorë të Komunës së Prizrenit, që janë përmendur në kallëzimin penal të AAK-së, janë ndaluar me 16 janar 2020 nga organet ligjzbatuese, ndërkohë që lidhur me rastin përkohësisht është sekuestruar edhe një veturë e tipit ‘Audi A4’.
Gjykata Themelore e Prizrenit, me 17 janar 2020, pat njoftuar se sipas kërkesës së Prokurorisë përkatëse kishte caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy zyrtarëve ligjorë të Komunës së Prizrenit. Ndërkaq një javë më parë kjo Gjykatë pat njoftuar se masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj dy zyrtarëve ligjorë të Komunës së Prizrenit, që dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me një rast të këmbimit të pronës komunale me atë private.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, Admir Shala gjatë një konference për shtyp pat deklaruar se organi i akuzës këtë rast e ka iniciuar sipas detyrës zyrtare dhe se pas kësaj kishte pranuar edhe një kallëzim penal.