Zyrtarizohet marrëveshja: Të dënuarit nga Gjykata Speciale do t’i vuajnë dënimet në Belgjikë
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Mbretëria e Belgjikës kanë nënshkruar zyrtarisht Marrëveshjen mbi Zbatimin e Dënimeve, e cila mundëson që personat e dënuar nga DHSK-ja të vuajnë dënimin e tyre në burgjet belge, në përputhje me kushtet e përcaktuara nga gjykata dhe me miratimin e Belgjikës, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi nga Gjykata Speciale, ku thuhet se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi të drejtësisë penale ndërkombëtare funksionale dhe gjithëpërfshirëse. Kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në përmbushjen e mandatit të gjykatës.
“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Mbretëria e Belgjikës riafirmon përkushtimin e saj ndaj drejtësisë penale ndërkombëtare dhe mbështetjen për DHSK-në,” tha Trendafilova. Ajo gjithashtu u bëri thirrje edhe shteteve të tjera që të ndjekin shembullin e Belgjikës për të forcuar kornizën ligjore për zbatimin e dënimeve.
Nga ana tjetër, Shefi i Autoritetit Qendror të Belgjikës deklaroi se kjo marrëveshje përfaqëson një dëshmi të mbështetjes së vendit të tij ndaj funksionimit të plotë të DHSK-së dhe angazhimit ndaj drejtësisë ndërkombëtare.
Në njoftim theksohet gjithashtu se, në përputhje me Shkëmbimin e Letrave të vitit 2014 ndërmjet BE-së dhe Kosovës dhe me nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, dënimet e formës së prerë të shqiptuara nga DHSK-ja ekzekutohen jashtë territorit të Kosovës.