03-11-2024

​ Transiti i bllokuar në Prizren, çka po ndërmerr pushteti për zhbllokim?

Tri vjet më parë, Prizreni ka rregulluar rrugën e re transitore që lidh magjistralen për në Prishtinë dhe Gjakovë, nga hyrja e lagjes “Dardania” për në “Arbanë”, por përkundër investimit, segmenti me ka katër korsi, që vlerësohet kyç për shkarkimin e trafikut në qytet, ka mbetur jofunksional, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Shkak për këtë është bllokimit nga një shtëpi banimi në pjesën tek hyrje-dalja e Arbanës. Rasti tashmë është në Gjykatën Themelore në Prizren.

Derisa rruga e re mbetet e bllokuar, shoferët e automjeteve transportuese dhe të tjerët që janë transit detyrohen të kalojnë në transitin e vjetër, tashmë të deformuar, duke përshkuar një distancë shumë më të largët ose të futen nëpër qytet, duke e ngarkuar edhe më shumë trafikun.

Bllokimi i transitit të ri ka qenë ndër çështjet të cilën e ka përdorur opozita gjatë fushatës për zgjedhjet lokale, për të kritikuar PDK-në që mbante pushtetin, e që përkundër ndërtimit të rrugës, e kishte lënë jashtë përdorimit.

Por, përkundër ardhjes në pushtet nga opozita, të Vetëvendosjes, LDK-së e Nismës, gjatë këtyre 8 muajve të qeverisjes nuk ka asgjë të dukshme në këtë drejtim.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thënë se meqenëse rasti është në gjykatë, dy herë ka pasur takime me kryetarin e Gjykatës Themelore në Prizren, prej të cilit ka kërkuar që kjo lëndë të trajtohet me urgjencë dhe të merret një vendim në mënyrë që pastaj komuna të veprojë.

“Jemi në pritje, por seancat gjyqësore nuk po mbahen”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Edhe kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Zafir Berisha, gjatë fushatës, pat deklaruar se “do ta heq me bager shtëpinë që ka bllokuar transitin”.

I pyetur për deklarimin e tij, Berisha, partia e të cilit është pjesë e qeverisjes lokale, thotë se tashmë kjo është çështje e kryetarit Haskuka.

“Kam thënë nëse bëhem kryetar do ta heq, kështu që s’jam kryetar dhe s’kam si veproj, kur unë jam deputet. Unë merrem me ligje e jo me bagera, kështu ka vendosur vota”, tha ai për “GazetaePrizrenit.net”.

Për të mësuar se deri ku ka arritur çështja rreth këtij rasti, jemi interesuar në Gjykatën Themelore, por përkundër që zëdhënësja,  Afërdita Kicaj ka konfirmuar marrjen e e-mailit nuk ka dhënë ndonjë përgjigje./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.