🔴Tragjedi në Malishevë: Babai me dy fëmijë vdesin pas zjarrit në banesë👇
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Malishevë, ku tre persona kanë humbur jetën pas shpërthimit të një zjarri në një banesë në lagjen “Mirdita”.
Lajmin e ka konfirmuar për IndeksOnline, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili bëri të ditur se rreth orës 12:55 policia është njoftuar për incidentin.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente”, deklaroi Elezi.
Sipas tij, në banesë janë gjetur tre persona të gjinisë mashkullore – një i rritur dhe dy fëmijë – të cilët janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku mjekët kanë konstatuar se ishin pa shenja jete.

Zjarri është lokalizuar, ndërsa nuk raportohet për pasoja të tjera materiale apo njerëzore.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e kësaj tragjedie.

