23-04-2024

1 vit burgim e 600 euro gjobë pasi pranoi se ka vjedhur

Rahovec – I akuzuari Ibrahim Krasniqi është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 600 euro gjobë, pasi e pranoi fajësinë për vjedhje të rëndë.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec nga gjykatësi Mizahir Shabani, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për veprën e parë, i akuzuari u dënua me shtatë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë, po ashtu edhe për veprën e dytë, të akuzuarit iu shqiptua dënim me shtatë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Më pas, ndaj të akuzuarit gjykata ka shqiptuar dënim unik, ashtu që i akuzuari u dënua me një vit burgim me kusht  dhe 600 euro gjobë.

Dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën dy vjeçare, i akuzuari Krasniqi nuk kryen vepër tjetër penale.

Ndryshe, gjatë pranimit të fajësisë, i akuzuari ka thënë se ndjehet fajtor për veprën që e ka kryer dhe pendohet për rastin që ka ndodhë, kurse kërkoi nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit, të ketë parasysh se janë në gjendje të dobët ekonomike, ashtu që t’i shqiptojë dënim sa më të butë.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, nuk e ka kundërshtuar prokurori Sadri Aliaj, i cili tha se pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare dhe mbështetet në provat që gjenden në shkresat e lëndës.

Gjyqtari Shabani, ka obliguar të akuzuarin që të paguajë shpenzimet procedurale në shumën prej 30 euro si dhe 30 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit.

Së bashku me të akuzuarin Krasniqi, ka qenë i akuzuar edhe Mahmut Hoxhaj, për vepërn penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, por pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë, gjykata e kishte veçuar procedurën ndaj tij dhe ishte dënuar me 300 euro gjobë.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Gjakovë me 13 qershor 2016 ka ngritur aktakuzë ndaj Ibrahim Krasniqit, sepse më 23 shtator 2014 shkon në shtëpinë e të dëmtuarit Elmi Sopjani nga fshati Dobidil të Rahovecit, e me forcë depërton brenda në punëtorinë dhe vjedh një sharrë të tipit “Shtihile-23”, të cilën ia shet të pandehurit Mahmut Hoxhaj nga fshati Kjevë i Malishevës, në vlerë prej 300 euro.

Ndërsa sipas pikës dy të aktakuzës thuhet se i akuzuari më datë të njëjtë në kohë të pacaktuar shkon në shtëpinë e të dëmtuarit Sami Morina, nga fshati Dobidil të Rahovecit, e me forcë depërton brenda  dhe vjedh një Gidore (komplet me çelësa mekanik), një biçikletë dhe një palë patika “Reebok” dhe më pas Gidoren ia shet të pandehurit Mahmut Hoxhaj nga fshati Kievë i Malishevës, në vlerë prej 150 euro.

Me këtë rast ka kryer veprën penale vjedhjes së rëndë në vazhdimësi nga neni 327, paragraf 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtatë vjet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Hoxhaj më 23 shtator 2014, në fshatin Kijevë të Malishevës, përkatësisht te automekanik “Fazlia” pronë e tij, duke ditur apo dashur të dijë se sendi është përfituar me vepër penale të vjedhjes, nga i akuzuari Ibrahim, ka blerë një motorsharrë dhe një Gidore me çelësa mekanik, të cilat janë sekuestruar me datë 27 shtator 2014 dhe i janë kthyer pronarëve Elmi Sopjani dhe Sami Morina.

Me këtë akuzohej se ka kryer veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 345, par 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Asnjë koment

Comments are closed.