100 banesa sociale në Prizren me programin trevjeçar të banimit
Zyrtarët përgjegjës të ekzekutivit kanë theksuar se me këtë program parashihet që çdo vit të ndërtohen nga 33 banesa për rastet sociale, ndërkohë që planifikohet që çdo vit nga 10 familje të mbështeten me pagesën e qirasë së banimit, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë këshilltarët opozitarë kanë bërë thirrje që Qeveria komunale të ndërmarrë hapa për zgjidhjen e problemeve ekzistuese me banesat e caktuara sociale, që nuk po mund të shfrytëzohen nga përfituesit e përzgjedhur nga organet komunale.
Drejtori për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, para anëtarëve të KK-së ka shpjeguar se që prej marrjes së detyrës është ballafaquar me kërkesën e MMPH-së, që Komuna ta hartojë programin e banimit.
Ai ka sqaruar punën që është bërë nga Komisioni komunal në bashkëpunim me atë të Ministrisë për hartimin e programit, duke shtuar se me sugjerimin e MMPH-së është nënshkruar marrëveshja me OJQ-në për përpilimin e programit trevjeçar të banimit.