Problemet mes Komunës dhe OSHP-së, lënë pa ujë banorët e Dragashit

Është hera e tetë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), kthen në rivlerësim projektin e ujësjellësit në komunën e Dragashit, duke konsideruar që komisioni vlerësues nuk ka bërë vlerësimin e duhur edhe pas ankesave të shumta të operatorëve ekonomik.

Mirëpo qytetarët e Dragashit, kërkojnë nga komuna dhe OShP-ja, të zhbllokohet kjo procedurë urgjentisht.

Kjo çështje ishte temë e debatit në tryezën e diskutimit të organizuar nga KDI në Dragash, me kryetarët e këshillave të fshatrave, kryetarin e komunës së Dragashit Shaban Shabani, ekspertin nga OShP-ja Daut Retkoceri si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, theksoi se komuna në vazhdimësi është duke i zbatuar vendimet e OSHP-së dhe për momentin projekti është pikën në zero.

“Si pasojë e kësaj, 1/3 e popullsisë po i vuajnë pasojat e këtij projekti, ndërkaq komuna mjetet që po i ndanë po kalojnë në suficit, ndërkaq kjo po ndikon në vlerësimin e performancës së komunës”, ka thënë ai.

Daut Retkoceri nga OShP, theksoi se OShP-ja ka vlerësuar se prapë ka pas mospërputhje ndërmjet referencave dhe vlerësimit, dhe kanë kthyer rastin në rivlerësim.

Ndërkaq qytetarët që po i vuajnë pasojat e kësaj vonese kërkuan që palët t’i tejkalojnë këto mos marrëveshje, dhe kërkuan nga komuna që urgjentisht të gjej një zgjidhje për këtë projekt.