24-09-2021

100-ditëshi i qeverisjes Kurti po shihet i ngadalshëm dhe pa vendime të mëdha

Qeveria Kurti të mërkurën e javës së ardhshme i bënë 100 ditë prej se është votuar në Kuvendin e Kosovës. Pas konstituimit të Kuvendit dhe mes diskutimeve të shumta, kabineti qeveritar i kryeministrit Kurti mori besimin e të zgjedhurve të popullit, më 22 mars të këtij viti. Prej kur mori detyrën, një ditë më pas, ekzekutivi në krye me kryeministrin Kurti mbajti gjithsej 17 mbledhje qeveritare, e tek në mbledhjen e 11, miratoi programin qeverisës dhe agjendën legjislative, derisa ende nuk e ka miratuar planin e punës.

Vëmendje dhe prioritet të veçantë në këta tre muaj iu kushtua dialogut Kosovë-Serbi dhe diplomacisë kosovare. Kryeministri Kurti u takua për herë të parë me presidentin serb Vuçiq më 15 qershor, paraprakisht kishte refuzuar një takim të tillë më 11 maj. Gjatë këtyre ditëve, i pari i qeverisë, aktiv ishte edhe në vizitat zyrtare jashtë vendit.

Për dallim prej të kaluarës, Kurti vizitën e parë e bëri në Bruksel gjatë fundit të muajit prill, derisa pak ditë më vonë, ia mësyu sërish kryeqendrës evropiane për një darkë joformale me liderët rajonalë. Takim me këta të fundit, kryeministri Kurti zhvilloi gjatë samitit të Tiranës dhe Vjenës në muajin qershor. Teksa së fundmi u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Edhe këtë 100 ditësh, kreu i ekzekutivit nuk ia la keq shkarkimeve dhe emërimeve në bordet e ndërmarrjeve publike. Ndërkohë, inicioi koncept-dokumentin për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme dhe fillimin e hartimit të procesit të vetingut.

Ndërsa së fundmi miratoi rishikimin e buxhetit për vitin 2021.

Megjithatë, puna 100 ditore e Qeverisë Kurti po vlerësohet e ngadalshme dhe pa vendime të mëdha nga shoqëria civile.

Drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli-Nimani thotë për KosovaPress se krahas pritjeve të qytetarëve dhe premtimeve në fushatë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë përmbushur të njëjtat, derisa, shqetësuese sipas saj është mos publikimi i planit vjetor të punës.

“Mund të them se ka qenë një 100 ditësh më i ngadaltë nga ajo që është pritur nga kjo qeveri. Nuk ka pasur ndonjë vendim, ta quaj ashtu më madhor që prek interesin qytetar për këto 100 ditë, në krahasim me pritjet shumë të mëdha të qytetarëve, por edhe premtimeve të kësaj qeverie. Për dallim prej Kurti I që kishte vendime më të mëdha se kjo qeveri, tash Kurti II ka më pak. Çka mund të vërej është një mbyllje, pavarësisht se qeveria ka emëruar dy zëdhënës, kemi dikastere të ministrive që janë po thuajse totalisht të mbyllura…Çka është për neve më shqetësuese është mos publikimi i planit vjetor të punës. Do thotë Qeveria Kurti ka prezantuar programin 4 vjeçar, por jo planin e punës”, thotë ajo.

Ndërsa, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) i vlerëson hibride 100 ditët e qeverisjes Kurti.

“Kemi parë një performancë hibride edhe nga kjo qeveri. Në kuptimin se ka pasur në disa fusha përparim dhe në disa fusha edhe ngecje. Vlen të përmendet që kemi parë një agjendë ambicioze legjislative me mbi 190 projektligje të parapara. Disa janë dërguar në këtë periudhë, disa jo. Një iniciativë më mirë dhe pozitive është parë në fushën e sundimit të ligjit tek iniciativa për veting dhe ligji për konfiskimin e pasurisë. Ani pse në këtë drejtim ka pasur një tërheqje apo një stepje prapa. Por procesi po shkon mirë. Kemi parë edhe tek pandemia një rezultat miks, ka pasur një lojë ping-pongu mes ministrit të kaluar dhe ministrit Vitia dhe një ambiguitet në menaxhimin e pandemisë, sigurimin e vaksinave dhe të tjera. Pastaj gradualisht kemi pasur një përmirësim të gjendjes edhe në menaxhimin e Covdi 19”, thotë Fetahu.

Lidhur me politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë, Fetahu nga GLPS thotë se ka pasur hapa pozitiv në përgatitjen dhe paraqitjen në takimin e parë të kryeministrit Kurti me presidentin Vuçiq.

“Në përgjithësi edhe ky 100 ditësh është dominuar nga disa ndikime të politikës së jashtme që kanë dominuar edhe politikën e brendshme, siç është dialogu Kosovë-Serbi. Ndonëse në fillim u trajtua si një prioritet i 5-6, por gradualisht është intensifikuar edhe prezenca e qeverisë në drejtim të dialogut dhe pjesëmarrja në takime të ndryshme. Kjo është një hap pozitiv, pavarësisht deklarimeve në fillim sepse kemi pa një paraqitje më të mirë në dialog, në kuptimin e shkuarjes në takime, përgatitjes dhe tentimit për të përafruar spektrin politik”, thotë ai.

Në mbledhjen e kësaj jave, Qeveria e Kosovës miratoi disa projektligje, ndër to mori vendim të mbulojë obligimet e Primit të sigurimit kufitar për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare dhe vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021.

Asnjë koment

Comments are closed.