25-11-2024

100 Valbona nga Kosova mahniten nga bukuria e luginës së Valbonës

100 vajza nga Kosova që mbajnë emrin Valbona vizituan ditët e fundit parkun Kombëtar të Valbonës në Tropojë.

Gjatë vizitës së organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, 100 Valbonat shijuan bukuritë përrallore të vendit nga është dhe origjina e emrit të tyre.

Pas vizitës në peizazhet e bukura të Valbonës, për nder të tyre, Ambasada shtroi një drekë me gatime tradicionale të zonës, shoqëruar me një program artistik me këngë e valle, nga artistët e ftuar, por edhe nga vetë Valbonat.

Në këtë vizitë vajzat nga Kosova shoqëroheshin edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Kjo vizitë e vajzave me emrin Valbona, vjen pas atyre të organizuara në Sarandë dhe Vlorë, ku vajzat kosovare u njohën me qytetet bregdetare, emrat e të cilëve mbajnë.

Në qëndrimin e tyre në Vlorë 28 vajzat gjatë muajit tetor vizituan Muzeun e Pavarësisë, si dhe kalanë e Kaninës.

Ndërsa 40 Sarandat në vizitën e tyre në shkurt të këtij viti shijuan bukurinë dhe u njohën me qytetin bregdetar të Sarandës.

Më herët ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka bërë të ditur se kjo iniciativë do të vazhdojë edhe për vajza dhe djem që mbajnë emra të tjerë si Berati, Drini, Shkumbini etj./ata/

Asnjë koment

Comments are closed.