26-08-2026

Policia njofton se një 22-vjeçar kosovar u ekstradua nga Maqedonia e Veriut

Policia e Kosovës njoftoi sot për ekstradimin në Kosovë të personit G. K., i cili ishte arrestuar javën e kaluar në Shkup të Maqedonisë së Veriut, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar.

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 26 gusht, shtetasi kosovar me inicialet G.K. është ekstraduar nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë, pasi kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë kosovare.

Siç kishte raportuar ekskluzivisht Sinjali, bëhet fjalë për 22 vjeçarin Granit Kurtaj, ndaj të cilit burimet kishin bërë të ditur se ishin lëshuar gjithsej 13 urdhërarreste.

Sipas njoftimit të Policisë, Kurtaj kërkohej për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilat ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv.

Ekstradimi i tij është realizuar në pikëkalimin kufitar në Han të Elezit, ku ai u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës, përkatësisht DRP-së në Prizren, për procedura të mëtejme ligjore.

Kurtaj ishte arrestuar të premten në zonën e Bit Pazarit në Shkup, nga zyrtarët e Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor të Maqedonisë së Veriut.


 

Në momentin e arrestimit, autoritetet maqedonase kishin bërë të ditur se ai kërkohej nën dyshimet për vjedhje, vjedhje të rëndë, lëndim trupor dhe zhvatje.

Asnjë koment

Comments are closed.