22-09-2026

“Përkrahu autorin e krimit” dhe “nxori sekretin shtetëror”, raportohet se këto janë dy akuzat për të cilat dyshohet Vlora Hyseni

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) lëshoi këtë të martë masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni dhe e pezulloi nga detyra.

Mediat në Shqipëri raportojnë se masa nuk është ekzekutuar ende për shkak se Hyseni nuk ndodhet në Shqipëri. Sipas raportimeve, masa është lëshuar në kuadër të hetimeve që po kryhen në kuadër të dosjes AKSHI.

Ndërsa gazeta Shqiptarja raporton se Vlora Hyseni dyshohet për dy vepra penale, përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.

 

Kryeministri Edi Rama njoftoi më 17 mars 2023 se i kishte propozuar Presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit, ish-zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, për postin e drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Në një postim në Facebook, Rama shprehu besimin se përgatitja, përvoja dhe respekti që Hyseni gëzonte në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës përbënin garanci për reformimin e mëtejshëm të SHISH-it.

Në atë kohë, Shërbimi Informativ i Shtetit kishte mbetur pa drejtues për afro një vit, pasi Helidon Bendo ishte larguar për një trajnim të gjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në dhjetor 2022 kishte dhënë dorëheqjen.

Vlora Hyseni kishte punuar për disa vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku fillimisht kishte mbajtur postin e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe më pas, nga viti 2019, atë të zëvendësdrejtoreshës. Në mesin e vitit 2021, ajo u shkarkua nga detyra nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Propozimi i Ramës u shoqërua me debate. Opozita i kërkoi Presidentit Begaj që, përpara dekretimit të Hysenit, të merrte informacione mbi arsyet e shkarkimit të saj nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

 

Pavarësisht kundërshtimeve, Begaj e dekretoi Vlora Hysenin në krye të SHISH-it më 3 prill 2023, rreth dy javë pas propozimit të kryeministrit.

Asnjë koment

Comments are closed.